Avni Halimi

Labirintheve të kujtesës

Shkup

2007

 

Personazhët

  • Babai - babai i Lirakut
  • Nëna – nëna e Lirakut majkata na Lirak
  • Liraku - student që përfundon në çmendi
  • Zoga – e fejuara e Lirakut verenicata na Lirak
  • Mjeku – Mjeku përdhunues lekarot nasilnik
  • Zogu – fantazmë
  • Xhoni – narkoman, mik i Lirakut
  • Plaka Mari
  • Qytetari 1
  • Qytetari 2
  • Qytetari 3
  • Fqiu 1
  • Fqiu 2
  • Hija 1
  • Hija 2
  • Plaka 1
  • Plaka 2
  • Plaka 3
  • Plaka 4
  • Plaku i verbër
  • Lejla
  • Keta
  • Shefi
  • Gjykatësi
  • Prokurori publik
  • Avokati
  • Xha Kola
  • Remi
  • Limi

Në dhomën hetimore. Jo e rëndomtë. Dyshemeja ngjanë në tabelën e shahut. Përballë derës, në këndin e tabelës, vërehen figurat e zeza të shahut: mbreti në H8, kali në H7, oficeri në G7 dhe, figurat e bardha: mbreti në F7 dhe mbretëresha në G6. Një pjesë e njërit mur është me xham të zi. Tej xhamit, herë pas here, nga një sinjal i kuq vërehet silueta e hetuesit. Skaj derës, një fashikull e verdhë mbi të cilën bie një dritë e fortë. Ngadal ndriçohet LIRAKU i veshur në pizhama burgu, mbështetur për mbretëreshën figurë. Në kokë mbanë një kurorë kartoni. Duket i menduar.


1.

Dikur moti, në brendinë e një mali, gjysëm ore larg katundit, jetonte babai, nëna dhe djali. Kishin një shtëpi kasollë. E kishin edhe një pelë për të cilën babai jepte kokën. Tërë ditën e kalonte me të. Natën flinte skaj saj. Zhdirgjej në katund për të blerë miell, e kthehej me pelën e stolisur plot xhingla-mingla varur jelave e me rruza të kaltra lëshuar ballit deri në cep të hundës. “Është kafshë dhe nuk di të kërkojë”, ju thoshte! “Ndërsa ju dini! Dini të kërkoni, të hani, të gjeni... pra... dilni dhe kërkoni kërpudha, rrënjë, lëvore, çaj... kërkoni se dimri do të jetë i gjatë!” Nëna vazhdimisht rrinte e mërzitur. Ditë nuk linte pa qarë! Ditë nuk kalonte pa e pyetur djali se pse mërzitej! Ndërsa ajo e kishte të njëjtën përgjigje që po e mundonte djalin tash e sa kohë! Çdo ditë i thoshte: “Edhe sot e zura babain me pelë për dore!” Djali nuk e vriste mendjen me këtë që i thoshte nëna. Babai nuk bënte punë tjetër pos që merrej me pelën. Nëna i bënte punët e shtëpisë ndersa djali, tërë ditën e kalonte pranë burimit, nën një shkurrë ku strehohej një zog që fliste me të! Një ditë i vajti mendja për ta pyetur zogun në e kishte mundësinë që t’ua ndërronte jetën, sepse, kjo jetë që po bënin nuk durohej më! “Po, - i tha zogu, - i keni tri dëshira. Atë që do ta kërkoni – ajo do të bëhet. Por, pas atyre tri kërkesave kurrë më nuk do të më shohësh! “Vetëm atëherë kur do t’i keshë punët më së keqi do të vij dhe do ta marrë atë që më së shumti do ta duash”. Djali u mendua. Atëherë do të jetë i rritur. Babain që e do, nuk do ta ketë. Nëna vështirë se do të mund t’i qëndrojë dhunës së babait. Do të vdesë edhe ajo. Për pelën nuk do të ketë se kush të kujdeset. Do të mbetet fillikat vetë në kasollë, në mes të malit. Do ta ketë vetëm jetën që mund ta dojë më së shumti. Ç’kuptim do të ketë jeta vetë. Zogu do të vij dhe do t’ia marrë jetën. Pastaj do të takohen sërish në botën tjetër. Dhe djali ra dakord. “Nisu”, - i tha zogut, - “nisu e bëje punën tënde.” Zogu fltuturoi në drejtim të kasollës.

2.

MJEKU: Lirak Rrap Mali, njëzetekatër vjeçar, i pamartuar. Shërbimit ushtarak i ka ikur për shkak të studimeve. Ka mbaruar vetëm vitin e parë, në Paris. Pasi ka luajtur mendsh, e kanë sjellur këtu. Shkaku i çmendurisë së tij – ende i panjohur. Kohëve të fundit hetohet një përmirësim i ndjeshëm shëndetësor. Ka shkëputje në kujtesë... (I drejtohet Lirakut)  Hë, a i thirre kujtesës, ë! A kujtove gjë?

LIRAKU: As që u mundova të përkujtohem për diçka! Çdo gjë është e kotë. E kaluara vazhdimisht ik. Nuk kapet. Është mundim i kotë vrapimi pas së kaluarës... Kujtesa është një album që nuk duhet shfletuar! Këtë ua them të gjithëve, por, nuk më kuptojnë!.. Shekspiri thoshte që burimi i lumit të pelimit është kujtesa! Jo... nuk e ka thënë këtë Shekspiri, por... Nejse, nuk më kujtohet! Nuk kujtova asgjë.

MJEKU: (E kap rrëmbimthi për qafe duke ia përkulur kokën kah librat e hedhur mbi krevat) Lexo... lexo... shkruaj apo aktro... çfarë të duash bëj, vetëm e duam rrëfimin. Kujtohu se çfarë ndodhi me babain tënd! Rrënjët e së keqes fillojnë nga ajo ndodhi e vazhdojnë te rasti kur desh e mbyte Xhonin, për të përfunduar në sakatosjen e plakës Mari... Hë pra, kujtohu!

(Del Mjeku)

Më veshën si mbret dhe më sollën këtu! Vij nga lart, nga kati i tretë i kësaj godine të mbushur me të çmendur e delikuentë! Jam më i miri, më i disiplinuari dhe më i urti nga të gjithë. Njeriu me mantel të bardhë, dhe ai tjetri që di edhe të rrahë, më thonë: “Ti këtu je mbret i të gjithëve! Ti je Mbreti!”

Më thërrasin Mbret!

Kur më sollën këtu, nuk më kërkuan çertifikatë të datëlindjes, as letërnjoftim e as librezë shëndetësie. Më rruajtën e më qethën tullac dhe pastaj, më ngjitën në katin e tretë. Ja, më thanë, kjo është dhoma jote. Do ta keshë më mirë se në Paris.

Një shtrat i ndrydhur, një tavolinë dhe një raft i vogël me kompletin e Shekspirit. Një korridor i gjatë. Dhoma ime me grila në mes të korridorit. Përpara, përmes grilave mund t’i shoh qartë vetem tri dhomat. Nga dhomat e tjera mund të dëgjohen ulurimat, bërtitmat dhe fjalët e pakuptueshme. Në dhomën përballë meje, një tullac tërë kohës e godet murin me kokë. Gjithandej gjak. Në të majtë të asaj dhome, tre vetë brenda. Nuk dihet çka janë. Në kokë mbajnë çorape me një vrimë sa për të marrur frymë me hundë. Tërë kohës luajnë seks. Në të djathtë, në dhomën tjetër, dy vetë të lidhur shpinë për shpine kurrë nuk pushojnë duke u sillur në vend... Unë, hipur mbi shtratin prej dërrasash, mijëra herë e luaj variantin tjetër të Edipit Mbret. Jo atë mbret që vret babain për t’ia marrur gruan, por, atë Mbret që vret djalin për t’ia marrur gruan...

Kur lodhem, kërkoj ndonjërin që të luajmë shah. Cilido që ulet matanë grilave, qoftë dikush nga gardianët, apo nga personeli mjekësor, në fillim i mbështes për murë, e pastaj ua fal fitoren. Vetëm më të madhin e munda. I dhashë mat me lokomotivë! Ia solla punën dhe, në diagonale i rreshtova të gjithë ushtarët. Në fund, me mbretin i dhashë shah. Kësaj i thonë  shah-mat me lokomotivë.  Si shpërblim, fitova katin e tretë.

(Pauzë.)

Këtu ndjehem pak më mirë. Dhoma ka vetëm një mur. Është me grila, por, ngrohtë. Është edhe një legen për ta kryer nevojën!... Ditët i kaloj me shikim kah dritarja e vogël. Vazhdimisht e njëjta pamje. Në fillim qielli i ngrysur. Pastaj re të zeza, që shkojnë dikah. Pas tyre vjen edhe një re gri. Ka formën e një gonxhe. Ngadal shpaloset dhe unë shoh dhomën e kristaltë, ku derdhen lloj-lloj ngjyrërash nga thyerja e dritave nëpër muret pasqyrë. Hapet dera dhe hy Zoga. Pastaj terr. Bie nata.

(Heshtje)

E doja! E doja Zogën. E doja. Shumë e doja! Më donte edhe ajo! Në fillim mendoja se, më tepër më donte ngase më mëshironte, e jo se ndjente diç për mua! Këtë dashuri të mëshirshme tek ajo e hetova që kur për herë të parë më përqafoi fort. Herët në mëngjes, rrugës për në shkollë po haja një senduiç. Para kisha Zogën! Shpejtova që ta zë. Iu afrova dhe ia ndava gjysmën e senduiçit! “Merre”, - i thashë, - “është me djath dhe me vezë gjeli!” Ajo ra në gjunjë duke qeshur. Sytë iu mbushën me lotë. Nuk dallohej në po qeshte a po qante! Pastaj më përqafoi duke më thënë: “O qyqan! Jo me vezë gjeli por, pule”!

(Qeshet lehtë. Heshtje)

Femrat vazhdimisht shprehin një lloj dhembshurie ndaj djemve të hutuar, të shpërqëndruar, të ndrydhur nga sekretet që i kanë. Në llogari të tipave të tillë mund të shpërthejë dhe shakaja, madje edhe tallja. Dhe kjo bëhet vetëm nga instikti sa për ta shprehur superioritetin femëror në një çast.

Femrat janë prototipe të qenieve të bukura, të padukshme! Janë engjej që i do e që të duan. Dashuria e tyre është mëshirë. Mëshirë dhe vetëm mëshirë!

Zoga më thoshte se, e vetmja dashuri e sinqertë dhe e përjetshme është ajo që lind nga mëshira. Edhe nevoja për ta dashur dikë është mëshirë. Dashuritë që i përgjigjen ftesës së interesave janë të thata; kundërmojnë në plagë kafshimesh të tërbuara. Puthjet u përngjajnë në mollën e helmuar. Përqafimet e dashurisë së mëshirshme janë puhizë që të bartin deri në katin e shtatë të qiellit.

(Heshtje)

I kam parë unë në katin e dytë njerëzit që duheshin për interesa. Pas çdo vizite, ata që ktheheshin nëpër dhoma me paqeta të mbushur me mjalt, çokollata, sheqerka, çamçakëza, cigare e duhan, duheshin më së shumti. Për një cigare, ngriteshin këmbët, kthehej bytha. Për një çokollatë i shpëtohej ditës së pastrimit të korridorit të mykët. Për një sheqerkë kalohej dita në puthje e thithje gjuhësh. Kur mbarojnë gjërat, fillojnë zënkat, sharjet, urrejtjet. Deri në vizitat e tjera.

Mua askush nuk më viziton. Nuk kam paqeta. Një herë më erdhi një paqetë. Nuk deshta ta pranoj se, nuk dija nga kush e kisha. Pastaj gardiani më pëshpëriti diç në vesh. As nuk qava, as nuk qesha. I thashë gardianit që me gjërat që ishin në paqetë t’i qeraste të gjithë ata që më duan. Të gjithë më kishin dashur.

3.

BABAI: Lirak, o Lirak.....Lirakooo!

LIRAKU: Urdhëro baba!

BABAI: Ku je he djall? Mu ça gërrmazi duke bërtitur.

LIRAKU: Nëna nuk po mundet ta lëvizë këmbën, ia drejtova dhe ia lidha për një dërrase. E zuri gjumi.

BABAI: Eja, ndihmom...  Kemi shumë punë për të bërë.

Babait tim ia kanë frikën dhe respektin të gjithë! Vetullat i ka të dendura, të shthurrura, si krahët e shkabës kur pezullon mbi coftinë. Nga mustaqet e verdha nuk i vërehet as goja. Gjithnjë rri i mrrolur. Vrazhdësinë e fytyrës së tij prej burri serioz e kanunxhi, ia zbutë shkëlqimi i qimes së pelës. Çdo ditë shalon pelën dhe me të i bie mespërmes katundit.

QYTETARI 1: Tungjatjeta bac!

BABAI: Tungjatjeta!

QYTETARI 2: Tungjatjeta Rrapo!

QYTETARI 3: Tungjatjeta! Tungjatjeta!

BABAI: Jungjatjeta burra!

QYTETARI 1: E paske luluar pelën Rrapo!

BABAI: Djali merret me të!

QYTETARI 2: Ke çun për së mbari!

BABAI: Në daçi t’ju duan dhe t’ju respektojnë fëmijët, mos ua shqepni dajakun nënave të tyre. Rrihe gruan në daç të të frikohet fëmija!

Nëna ime ishte shumë e dobët! Shamia e zezë ia mbështillte flokët e thinjur! Kishte lëkurën të thepisr e të thekur, si lëvore rrapi. Fytyrën plotë rudha! Duar të thatë e me gishta të shtrembër. Çalonte! Im at e kishte rrahur me dru kur kishte kuptuar se, më nuk do të mund t’i lindte fëmijë. E kishte rrahur aq shumë, derisa ishte alivanosur kur e kishte goditur me dru, këtu, në kryqe.

E shante shumë! Kah rrotullohej ia shante nënën!

BABAI: E kjo... çka është kjo, a! (Ia fut në fytyrë një enë.) Fol, çka është ky mut...

NËNA: Mos o plak! Gjynah prej Zotit! Gjellë është...

BABAI: Po a! Nuk po e shoh unë, a! Pse kaq shumë krip! Fol, pser? (Ia përplas enën fytyrës!)

NËNA: O të vraftë Zoti ty që e përbuz të mirën e Tij!

BABAI: Për cilën të mirë flet o lanet, për këtë mut he mos e lafsha pa ta shkërdhyer nënën...

NËNA: Shkërdhevshë nënën tënde, se nëna ime nuk është si pela jote!

(Babai e godet me shuplakë nënën)

Kurrë nuk ia shqepi dajakun nënës sime. Ndërsa unë e respektoj, e kam shumë frikë. Tmerrohem nga hija e tij! Ai më do! Më deshti që kur fillova të mbahem për mustaqet e tij e të rri pipth në këmbë! Më thoshte:

BABAI: O do të bëj burrë mustaqesh, o do të të veshi në petka grashë!

Kur burrat e mëhallës na kacafytnin, duhej të isha fëmija më i shkathët, t’i rrëzoja të gjithë! Nëse ndonjë moshatar më hidhte në shpinë, e dija se çka do të pasonte pastaj! Më rrihte pa mëshirë babai. Më hidhte prej një muri në murin tjetër; më hidhte përpjetë e përplasesha dyshemesë.

BABAI: (Duke e rrahur e goditur pa mëshirë) Kështu, do të bëhesh më i fortë dhe nuk do të më turpëroshë!

LIRAKU: (I drejtohet babait) Këtë nuk ta fali baba. Të dua shumë. Je babushi im. Ta fal çdo grusht që e derdhë mbi mua. E di që kërkon të bëhem burrë si ti, hiç më shumë. Të bëhem i pari në katund. Ne shpesh bisdojmë si dy miqë të ngushtë. Në asnjë rast nuk të them se e ke gabim. Ti kurrë nuk gabon. Gabimi është i Zotit që më fali mua. Kështu më thua. Këtë ia thua edhe nënës dhe e godet me sa fuqi që ke. Pse babush? Kur do të rritem do të bëhem i pari. Atëherë, mbi kë do të bie faji! Mbi mua?! Mbi Zotin?!

BABAI: Mbylle!

(Babai duke u ngritur përplasë sofrën për gjoksi të Lirakut. Liraku kap nënën për dore e cila mundohet ta gjuaj me lugë babain tek del jasht. E qetëson duke e përqafuar fort. Dridhet si zog i lagur.)

 LIRAKU: Dje, deri sa po largohesha nga kroi, teta Lejlë po më përcillte me bisht të syrit. Dëgjova tek i tha teta Mrikës “Pupu, Rrap në vend! Ia ka këputur kokën. Shiko si ec duke u luhatur, krejt si Rrapi. Ky të martohet! Po kush do t’i japë këtij nuse mi...” Jo nënë, jooo... nuk do të martohem. Nuk dua të bëhëm burrë, nuk dua të martohem... do të bëhem edhe unë baba i keq... nuk dua nënë... (dënesë.)

NËNA: Jo biri nënës, jo. Qetësohu! Mos dëgjo fjalë shtrigash të katundit. Babai na do...

LIRAKU: Ai po na mbytë nënë!

NËNA: Na do birë, na do. Kujdeset për ne. Edhe ti do të kujdesesh për gruan tënde, për femijët e tu. Do të punoshë, do të fitoshë, do të ngrisish shtëpi e familje. Do të jeshë shumë i butë, i paqtë e i fisshëm biri im. Atëherë do të jesh i lodhur nga rrëmuja e një copë jete, nga çjerrjet, nga fjalosjet e rrahjet dhe, kur do t’i kujtosh këto fotografi të varurra nëpër labirinthet e kujtesës sate, biri im, do të të mbushet trupi mornica ndërdsa ngrohje shpirtërore do të kërkoshë në prehërin e gruas sate, në përqafimet e fëmijëve të tu... (Fshinë lotët me cep të shamisë.) A të sjell një copë djathë! Po shkoj, ë! (Liraku rregullon sofrën, ulet këmbëkryq, duke i fshirë lotët.)

Një ditë, në katund bëhej një dasmë dhe, në vrapim për maramën, më shtyu edhe mua të marr pjesë. Në mesin e të gjithë atyre vrapuesve, më i riu isha unë. Isha fëmijë tetë-nëntë vjeçar! “Të pres në shtepi që të më kthehesh me maramë”, më tha ashpër. E unë u ktheva i fundit. Më rrahu deri sa më plasi gjaku për hunde e për goje. Po pse e rrihte edhe nënën sa herë që më rrihte mua?! Babai më rrah e unë e dua! E do edhe nëna! “Rrihe gruan të ta ketë frikën fëmija!” Unë ia kisha frikën. Edhe nëna po! Por jo edhe atëherë kur më shtrine për toke. Atëherë nëna shpërthente: “Mjaft o hamshor! Mjaft se e mbyte”!  

NËNA: Hë birë, ha. T’u bëftë tul e dhjamë.

LEJLA: Ju bëftë mirë Zanë. Phaaa, për shtatë palë qejfe e paskeni shtruar në mes të oborrit. Rrapi paska ikur, a!

LIRAKU: Ja ku jam teta Lejlë! Jap Rrap në vend.

NËNA: Ç’kemi Lejlë, si dukesh!

LEJLA: Hiç mi, ja, po tjerret bota e marifeti po del në shesh. Po a dëgjove mi se çka i ndodhi Bibajve! Ua lëshuan mbrëmë në mes të natës vajzën. Ëhë vajzë! Grua mi grua, kishte qenë grua. E kishte hëngër turpin me një goxha burrë. E di unë e diii, e kam parë duke u ikur nga oborri me një kalë që çau malit si vetëtimë.

NËNA: Çka the moj Lejlë! E mjera nënë! E mjera Gonxhe që qenka bërë për t’u bluar gojëve të këqia.

LEJLA: Po bluhen vetë e pastaj po i nxisin gojët të flasin. Ç’faj ka goja për atë që ha bytha! Kështu u kruajt edhe Semka e pastaj mundohej që t’i mbyllte të gjitha gojët e hallkut. Po a mbyllen vrimat e gardhit mi korbë. Eja, eja Zanë ta pjekim nga një kafe. Eee sa do të pështyshë në gjinj nga ajo që do të dëgjoshë! Phu-phu-phu, çka nuk po ndodhë në këtë dynja.

NËNA: Erdha Lejlë...

(Del Nëna. Liraku ngrit sofrën.)

(Heshtje.)

Njëherë, nëna ime doli nga ahuri duke qarë e duke u çjerrur: “E zura me pelë për dore, medetooo...”! Pastaj, mbi të u vërsul babai, e rrahu grushta e shqelma. U mundua që me dara nallbani t’ia këpusë gjuhën, ndërsa ia këputi vetëm një pjesë të buzës së poshtme. Kurrë nuk më tregoi se ç’deshti të thoshte me atë “e zura me pelë për dore”.

4.

Çdo vit, për ditën e Shëngjergjit, në katund ka festë. Dalin gratë me saxhe e tepsia, me gjyma e kusia! Vajza të reja, të veshura e të krehura duke u ruajtur nga shikimet e djemve. Fëmijët nuk bëjnë punë tjetër, pos atë të postjerit, duke i këmbyer tinëzisht fjalët mes vajzave dhe djemve. Ushtojnë tupanet e zurnat. Fillojnë pehlivanët. Më të fortit kapen e më të lishtit vallëzojnë deri sa të këputen të dy palët. Më të moshuarit struken nën hije. Kur të lodhen të gjithë, në fund, fillon gara në vrapim me kuaj.  Më i miri e gëzon të drejtën që publikisht ta zgjedhë vajzën me të cilën do të martohet.

(Paraqitet Zoga)

LIRAKU: E sheh atë lis atje! Eh pra, atje duhet të arrishë me këtë gjym pa e  derdhur asnjë pikë ujë. Ec... ec si puhizë...ec... Kur të arrishë te lisi, grise një copë nga fundi i fustanit dhe lidhe për një degë. Ec... lehtë... ashtu. Ujin derdhe në rrënjë të lisit. E di cilën këngë duhet ta këndoshë, ë? Hë, thuama pra. Jepi... Kujdes se, po ta dëgjoi kush zërin, do të të shurdhohet burri në natën e martesës. Hahaha... hë, qeshu. Pse nuk qesh? Mos! Mos qesh para se ta derdhësh ujin në rrënjë të lisit... se pastaj fëmijën e parë do ta lindish të vrenjtur, me vetulla si të bishtit të dhisë.

(Zoga nuk mund të përmbahet, shpërthen në gaz)

ZOGA: Ik, o dreç... Tani më duhet të kthehem sërisht te mulliri e ta mbush me ujë gjymin.

LIRAKU: Po pse....

ZOGA: Sepse qesha... Po fole, o qeshe, prishet magjia.

LIRAKU: Mos u hidhëro... Ma jep gjymin, unë do t’shkoj ta mbushi për ty.

ZOGA: Ashtu nuk bën... rregullat e lojës janë: sejcili duhet ta mbush për vete.

LIRAKU: Mirë atëher... mund të shkojm bashkë, ë...

ZOGA: Mirë...

LIRAKU: Si e ke emrin... Unë quhem Lirak.

ZOGA: Zoga.

(Liraku dhe Zoga nisen drejt mullirit. Rrugës Babai e ndalon Lirakun, e tërheq anash)

BABAI: Këtë gocë ta dua për nuse! Tani shalo pelën, dhe fito garën...

LIRAKU: O babush! Nuk mundem ta ngas pelën. Herët është. Pelat nuk janë për vrap. Do të qeshen të gjithë me ne!

BABAI: Mbylle. Bëj ashtu si të them unë... Edhe shpejto, sa nuk ka filluar gara....

Kush guxoi t’ia prishë babait, aq më pak të bëjë shaka dikush me të! Nëna e para u shkëput nga ai log dhe iku në shtëpi! Vërejta që iku edhe Zoga. U frikua se do të zgjidhej prej atij që do të fitonte. Fitorja ime ishte e largët. Krisi pushka dhe, kuajtë shpërthyen në vrap. Pela ime vraponte me atë shpejtësi me të cilën e kishte stërvitur im at. Lirisht ulu këmbëkryq mbi shalë dhe pije kafenë! Në gjysëm të shtegut më zunë garuesit që po ktheheshin. Kur u ktheva unë, ishte shumë vonë. Të gjithë kishin ikur. Nga larg e vërejta babain që po ecte i tërbur nëpër oborri. Ecte me kokë te poshte, gjysëm i kërrusur, prapa shpinës i mbante duart dhe një shkop barinjësh. Zbrita nga pela, e mbylla portën dhe u nisa në drejtim të tij. Krisi shkopi. Nuk la vend në trup pa më goditur. Kësaj radhe, nëna nuk nxori fjalë nga goja! Rrinte ulur në prag të derës dhe vetëm më shikonte tek shkaravitesha nga goditjet e babait. Kur iu thye shkopi, më goditi edhe dy-tri shqelma kokës dhe u nis kah nëna.

BABAI: Po na e nxiu fytyrën ky horr moj plakë. E vraftë pushka qenin!

( Sapo ia hedhi krahun mbi qafë nënës, ajo kërceu sikur ta kishte kafshuar gjarpëri)

NËNA: Ik

Babai u hodh mbi nënën si kaçubeti mbi zogun e pulës. Pasi u shfry mirë mbi të, e mori për flokësh dhe, duke e tërhequr zvarrë, e futi në dhomë. Me një zë që tundte male më tha që ta lidhi pelën në ahur. Mezi u ngrita në këmbë! Në ahur hyri edhe ai dhe e mbylli derën me shul!

BABAI: Mirë mor sakat, sa herë të kam thënë, ose do të bëhesh i pari i katundit ose do të të vesh në rrobe grashë!

LIRAKU: O babush, po kjo pelë nuk është për ta ngarë, pastaj, unë akoma nuk  mundem t’i hidhem në shalë e ti kërkon që ta kaluroj.

BABAI: (çjerret) Me një të kërcyer të të shoh mbi shalë të pelës!

LIRAKU: (Me gjysëm shpirti ia kthej) O nuk mundem babush, jo se nuk dua!

E kapi pelën duke e shtyer me vithe kah grazhdi. Më tha që ta mbaj fort për frerë. Pastaj hipi mbi grazhd dhe u hodh mbi pelën. I nguli gishtat në lëkurën vizëlluese të vitheve të saj.

BABAI: (Duke u çjerrë tërbueshëm) Kështu i kërcehet pelës! Shiko si i kërcehet, o kafshë!

Nga lotët e syve dhe gjakut që po më ridhte nga balli, nuk mund ta shihja mirë! Pashë që pantallonet e tij ishin lëshuar deri në zog të këmbës! Pastaj doli, duke më mbyllur në ahur. Më kishte zënë gjumi!

5.

U lëshua zogu mbi një degë dhe po e shikonte nënën duke i krehur flokët e thinjur. Në kasolle ishte fillikat vetëm. Babai me pelën ishte zhdjergjur në katund. Edhe pak e do të binte muzgu.

ZOGU: Fol oj plakë e shkretë!

NËNA: Ç’është ky ogurzi që më shikon e më flet!

ZOGU: Mblidhe mendjen plakë! Nuk jam ogurziu. Jam engjëll që më dërgoi Zoti deri te ju. Erdhi fundi i mynxyrave. Prandaj, fol! Ti, ytë shoq dhe djali i juaj keni leje të kërkoni nga një dëshirë. Kërkoni ç’të dëshironi dhe, dëshirat do t’ju plotësohen.

NËNA: (Duke psherëtitur thellë) O Zot i Madh, ç’është kjo tallje!

ZOGU: (Prerazi) Muzgu nuk guxon të më zë këtu, prandaj, fol më shpejt.

Atëherë nëna së pari ngriti kokën kah qielli, pastaj edhe duart dhe u lut!

NËNA: Zot, më bëj të re, tetëmbëdhjetëvjeçare! Më duhet forcë që t’ju përballoj ditëve që po vijnë!

Dhe plaka u bë tetëmbëdhjetëvjeçare. Shtati i saj, flokët dhe fustani kadife, ngjyrë qershie, ta përkujtonte mbretëreshën e përallave. Sapo filloi ta prekë trupin, gjinjtë e fryer, ijet e forta, ia behu edhe babai.

BABAI: (Duke u turrur drejt saj) Kush je ti!

NËNA: Ik, mos më prek. Jam gruaja jote. Zana! Kështu isha kur më more, ndërsa ti, për pak kohë më bëre femrën më të veremosur në botë. Ik, mos më prek. Ik të thash! (Babai bie përdhe. Heshtje.) Erdhi një zog dhe më tha se, kishte ardhur koha që unë, ti dhe djali t’i kërkojmë Zotit nga një dëshirë. Unë kërkova që të bëhem e re, tetëmbëdhjetëvjeçare! Tani e ke radhën ti! Kërko!

Babai as që deshti të kërkojë gjë! U kënaq kur e pa gruan e vet aq të re. Deshti që ta kap në krahë dhe ta shpie në shtrat! Por ajo nuk pranonte! Sapo i afrohej babai, ajo e shtyente tëhu. Me fuqinë që kishte tani mund ta rrënonte pafrymë  plakun.

NËNA: Ik,  plak matuf. Kërko çfarë të duash. Kërko edhe ti të bëhesh i ri!

Atëherë, babai, i nervozur nga sjelljet e gruas së vet që nuk e linte as ta prekë, iu drejtua Zotit:

BABAI: O Zot, ma bëj gruan pelë!

Sakaq, para kasolles u bënë dy pela! Deri sa i lidhi për lisi, ia behu edhe djali!

DJALI: O babush! Mos të kanë lënë mendtë! Mjaft e pate një! Ç’tu desht ta bleshë edhe këtë tjetrën! Do të na i thashë zorrët, babush.

BABAI: Kjo këtu është nëna jote!

Pastaj,  babai ia shpjegoi djalit tërë atë që kishte ndodhur!

BABAI: Kërko pra. Tani e ke radhën ti. Vetëm ke kujdes! Tani i kemi dy pela që kërkojnë njeri të fortë për t’i ushqyer e për t’i ruajtur. Ti je ende i vogël, ndërsa unë, i plak e tepër i lodhur. Kërkoi Zotit të më bëjë të ri.

Djali u mendua një copë kohe! Tundi kokën në shenjë dorëzimi para fatit dhe, kërkoi:

DJALI: Zot, ma bëj nënën si ishte!

Sakaq, para kasolles, po të njëjtit: babai, nëna, djali dhe pela! Të dëshpëruar tepër shumë. Dëshpërimi i babait kaloi në tërbim dhe, desh i mbyti duke i rrahur, fillimisht djalin, pastaj edhe nënën. I shtriu për toke dhe, hipur mbi pelë, ia mbathi shtegut për në katund.

6.

Herën e dytë Zoga, jo vetëm që më përqafoi por edhe më puthi faqeve. Qau shumë. Pata një të çarë mes vetullave, një plagë që m’i kishte irnosur sytë! Në faqen e djathtë më vëreheshin shenjat e gishtave sikur të isha fërkuar me fleta hithrash.

ZOGA: (Me dhembje) Të paska goditur keq! Të paska rrahur shumë, idioti!

Ne po rriteshim, ndërsa po rritej gjithnjë e më shumë edhe mëshira e Zogës për mua! Sa herë më rrihte babai, Zoga më donte më shumë.

Zogën nuk e pashë më! Herën e fundit me mua ishte atë ditë kur e munda babain shah! Nuk deshta! Nuk doja të rrihesha para Zogës. Disa lojëra me radhë i nxora me rezultat baraz. Në sytë e Zogës lexova dëshirën për ta mundur, ndaj edhe vendosa që, më në fund, t’i jepja mat! Pak para fundit të lojës, figurat e tij të zeza, ishin (me sy të mbyllur, flet shpejtë): mbreti në H8, kali në H7, oficeri në G6

Unë: mbreti në F7, mbretëresha në G6.

(Bërtet.) Luaj babush! Luaj! Vetëm edhe një lëvizje e... kjo mbretëreshë do të ta “hajë kokën”.

Babai ma sulmon mbretëreshën me kalë, prej H7 në H8, ndërsa unë me mbretëreshë ia marr oficerin dhe – mat!

Zoga u shkri nga gëzmi, gjithë qejf duartroket. Gëzimi i saj zgjatë disa sekonda. Sakaq, babai më ra grusht fytyrës. Unë përdhe duke u mbrojtur nga shqelmat e babait dhe, pastaj nuk di se çka ndodhi. Më zë gjumi. Kur zgjohem e shoh Zogën, gati lakuriqe, duke ikur nga dhoma. Pas e ndjek babai i çartur. Pas tyre lëshohem edhe unë. Nuk di se kush kë e zuri por... ja... mbeta vetë, humba gjithçka! Vetëm kjo më kujtohet. Humbja qenka gjë e shtrenjtë! (I hap sytë. Një buzëqeshje e ngrirë në fytyrë. Me dhembje çjerret) Zogë! (Heshtje.)

Kurrë më nuk e pashë Zogën. Ne, sa po rriteshim aq më tepër po duheshim. Dashuria e saj nuk ishte më dhembshuri për mua! Më donte shumë. Jo se isha më i miri e më i forti në vrapim, në hedhje të gurëve, në pehlivana, në vrapim me kuaj, në shah, në shkollë, në mësime, jo se në seksionin teatral në shkollë gjithnjë i luaja rolet kryesore, por, thjesht, më donte se... më mishëronte! Për herë të parë edhe unë shpreha dhembjen time për të! Atë ditë, kur kerceu pragun e derës ishte e tëra e leckosur, me flokë të shprishur, me sy të përlotur. (Dënesje.)

“Zogë” e thirra përvajshëm, ndërsa ajo, vetëm për një çast ktheu kokën dhe më tha: “ik, se edhe ti je pjellë e tij. Lamtumirë!” Edhe Zogën e kishte rrahur babai?! O, nuk di në e kishte rrahur a jo, por e di që ajo nuk dukej mirë.

7.

Tani, nuk e luaj më shahun! Jo, e luaj, por, nuk guxoj ta mund askë. Sa herë që i sjell kundërshtarët në pozicion të matit, unë e humb lojën. Luaj me gardianë, me mjekë, më të burgosur e me pacientë, por, kurrë nuk fitoj. Tani të gjithë dëshirojnë të dinë se pse unë e humb lojë në mënyrë aq naive. E as vetë nuk di se pse! Thjesht, nuk kam guxim të fitoj. Të gjitha fitoret janë të tmerrshme. Humbjet të mbajnë të gjallë. Të mbajnë pranë atyreve që i do e që të duan. Të humburit nuk ju frikohen humbjeve. Jetojnë me shpresa që nuk i kanë fitimtarët. Presin ngritjen. Të ngriturit jetojnë me frikë. Nga lart e shohin fundin. I tmerrshëm është fundi i tyre. Humbja është e mirë. Unë humba gjithçka. Tani pres ditën kur do t’i gjejë të gjithë. Fitimtarët presin ditën kur do të humbin gjithçka.

Më humbën letrat e Zogës, ato letra që m’i dërgonte derisa isha për studime në Paris. Nuk i kam më. Më dhemb shpirti për to. Sa herë i kujtoj, ja, këtu, në mes të krahërorit më hapet një bunar prej nga shpërthen një i ftohtë i acartë. Letrat e Zogës - të gjitha fillonin me “Artistit tim”, ndërsa përfundonin me “të puth fort e me mall! Zoga!”

Në Fakultetin e Arteve të Bukura, Dega e Aktrimit, isha më i miri! Në skenë isha mbret i vërtetë! Kur luaja unë, profesorët thoshin se i shihnin personazhët e gjallë, që qajnë, që qeshin, që tmerrohen, që frikësohen...

Kur ishte momenti për të qarë, e kujtoja babain tim të vrenjtur. Për shprehjen e habisë, e kujtoja përgëdheljen e nënës sime që vazhdimisht më bëhej se më miklonte me brushë të çeliktë. Kur ishte momenti për të qeshur, e kujtoja Zogën dhe barcoletat e saj të mrekullueshme. Për dhembje – i dëgjoja ofkëllimat e nënës që kurrë nuk u bë rehat nga këmba. (Duke dënesur shpërthen)

Kur më rrihte babai (përgatitesha për aktrim), kur bërtisja, kur qaja, kur ushtonte shtëpia nga hudhjet e mia herë në njërin e herë në murin tjetër, babai çartej:

BABAI: Hesht se i tmerrove fqinjtë o i marrë. Hesht...

FQIU 1: Çka pati djali Rrapo? Tërë natën veç kërcente e bërtiste!

FQIU 2: Vallai, edhe te ne dëgjohej një vajtim e një e qarë e madhe! E di si? Sikur kur të zë dhëmbi!

FQIU 1: A Rrapo! A është mirë Liraku, ë?

BABAI: Nuk ka gjë, mirë është... Po i shikon këto derra artistë në televizion e pastaj tërë kohës po bën si ata.  Thotë: o do bëhem artist me famë o do pëlcas.

FQIU 2: Mbaje veten Rrapo. Gëzohu... djali do të të bëhet artist i madh, si ky farë Bekim Fumija.

BABAI: Bekim Fehmiu! O cung!

Për ti fshehur rrëmujat e babait në shtëpi, u detyrova të përcaktohem për aktrim. Goditjet, grushtimet, ulurimat, qarjet, vajtimet, të gjitha të duken si pjesë aktrimi. Do të bëhesha artist. Ishte dëshirë e babait. Do të shkoshë në “Patis”, më tha, duke menduar në Parisin. Ec e refuzoje dëshirën e babushit. Nëna nuk deshti që të ikja aq larg por, kush e pyeste të shkretën! Babai kishte lidhje të forta me pushtetin. Mjaft kishte punuar babai për pushtetin, tani pushteti do të punonte për babain. Kjo i vie sikur “mjaft mulliri e bloi grurin, tani gruri duhet ta bluaj mullirin”! Kështu, të gjithë më ndihmuan për në Paris.

8.

MJEKU: Kujtohu mirë! Kujtohu se ç’ngjau atë ditë. Lexoi edhe këto deklarata. Mbase të ndihmojnë, ta ngacmojnë kujtesën. Ti duhet të rrëfehesh, ta shkruash atë çfarë të ka ndodhur! Shkruaje si të duash! Ose si rrëfim, ose si deklaratë. Ja ku ke plotë deklarata. Hë, lexo e kujtohu!

(Mjeku del. Heshtje. Liraku e merr fashikullin dhe ulet këmbëkryq. Fillon t’i shfletojë letrat. I shikon dhe i hedh mbrapa shpinës. Lexon me zë.)

“E vrava babain se më pëlqente të bëhesha si Mbreti Edip...”

“Më erdhi shumë rënd kur ma shau fenë derisa po mundohesha ta bind se, martesën mes kushërirëve e lejon feja jonë. Nxora patllakun dhe e vrava, në emër të fesë...”

“Vëllai im po më shpjegonte për njëfarë Bajroni që i paskësh hipur motrës së vet dhe për njëfarë Migjeni që e paskësh punuar vajzën e tezes. Në fund doli puna se vetë ai disa herë ma kishte shpërnderuar time bijë... M’spatë ia preva kokën...”

“E hudha babain në pus ngase, të fejuarën time, në ahur e kishte provuar në ishte e virgjër a jo...”

“I bëra lakra-lakra, edhe gruan edhe fëmijën, sapo më tregoi gruaja se fëmijën e kishte me vëllain tim...”

“Pas njëzet vjetë erdha për ta parë fëmijën që e kisha me kusheriren time! Të familjes më kishin ngritur pusi! I vrava tre vetë...”

“Unë, Leni i Dedajve, e vrava tim at. Ishte varur mbi djep ku po qante vajza ime dyvjeçare. Ai, në vend të cucllës, në gojë po ia fuste kalemin e vet të vyshkur...”

“Me drapër ia preva kokën! Dy vjet nuk kishte fjetur me mua. Në shtrat shtrihej me delen...”

PLAKU I VERBËR: Të gjitha këto fakte të shtrembërohen. Rastet të fshihen. Vrasjet të shpjegohen si akte psikopatësh të kryer për motive të dobët. Për lëvizje guri nga mezhda, për shkulje gardhi, për prerje drunjësh në mal të huaj, për vjedhje të grurit, të bagëtive, e motive të ngjashme... Të shtrembërohen faktet. Të ruhet shpirti nga e vërteta. E vërteta dhemb! Mjaft u ushqye shpirti me dhembje...

9.

Asgjë, jo! Asgjë! Nuk dua të flas! Këtu nuk të lënë të pishë as cigare. Vetëm të kujtohesh! Kot!

(Heshtje. Liraku bie në gjunj, kap kokën me duar, shtrëngohet, përpëlitet në gjunjë. Hap gojën fort e nuk nxjerr ze. Duket tmerrësisht i trishtuar. Dëgjon zërion e Xhonit.)

XHONI: Liiiraaak..... ooo Lirakooo.... eheeej, ku humbe o Liraaak...

LIRAKU: Xhoni?!...  Xhoni, hej... ja ku jam, ja... më prit se erdha....

XHONI: Liiiraaak... më shpejt ooo Liraaak...

(Përpëlitje të njëjta para se ta dëgjojë zërin e Xhonit. Pastaj qetësohet, ngritet, fare i qetë.)

Pasi fitova shahun, pasi babai më rrahu mua... dhe Zogën... – ika nga shtëpia. Nuk deshta të kthehem më në shtëpi. Është shumë e pistë. Si një grumbull plehu. Atje, sipër, në kodër, në Shpellën e Ariut, ndjehem më mirë. Tërë ditën e kaloj me njerëz që më donë e që i dua, që më përshendesin e më ushqejnë. Askush më nuk më rrah. Luaj me fëmijët e mëhallës që kënaqen duke qeshur sa herë kur më godasin me gurë e kur qaj unë. Pastaj, në mbremje ngjitem në Shpellë.

Një natë, poshtë urës, me këmbë të futur në lumë, po rrinte ai, Xhoni. E kishte zënë gjumi! E shkundullova por nuk lëvizi. E mora në shpinë dhe e solla në Shpellë. Aty u zgjua!

XHONI: Lirakooo! Hej, o miu lakuriq, ec se ta theva kokën. Shpejt.

LIRAKU: Fol bos-o!

XHONI: E di ku rri Xhimi i Ademajve, ë! Hë de, Xhimi, ai te i cili shkove atë natë kur desh na mbyti shiu, e! Të kujtohet?

LIRAKU: Ai që në gjoks ka të vizatuar bythën, ë! Hahaha...

XHONI: Jo, kokën tënde lakër! Ik pra, te ai! Shkoi e i thuaj që të ti japë nja pesë cigare për mua. I thuaj “cigare të serta, për Xhonin”. Nisu vrap!

LIRAKU: Bos-o, ja, pështyj ti këtu dhe hala pa u tharë pështyma mua do të më keshë këtu. Ika!

Nuk vonova shumë dhe Xhonit ia solla cigaret. Një e ndezi për vete, një për mua. E tërhoqa një tym, dhe një, dhe një...

XHONI: E di se ku do të shkojmë sonte, ë!

LIRAKU: Ku bos-o?

XHONI: Te “Hani i Shehut”! Do të dhihemi duke ngrënë. Hahaha... do të hame e do të pimë e... hë, thuaje... do të ngulim o hajvan. Një rend peshqë, një rend mish viçi e një rend femra. Hahaha... ha e ngul, ha e ngul... Eheeeej... Avash, avash, o tururlum!

LIRAKU: Xhono, u shkriva... më mbaj, hej! A jam njeri a pendël. Më mbaj se po ngjitem në qiell. Uhaaaa, po bie në fund të pusit more Xhono... hahaha... phaaaa, u shkriva. Të ka lezet shpirti me qenë pendël pule.

XHONI: Ec, struku këtu te unë!

Rash në fund të pusit... sikur u ngjita kah dielli... pastaj zbrita nëpër kodra të akullta. Pastaj, sikur u shembën gurët e më zuri shpella. E kapa kokën e i shtrengova dhëmbët. Ndjehem më mirë. Xhoni nuk është mirë. Dridhet. Djersët i shkojnë curril. Në dorë mbanë një shiringë të zbrazët.

XHONI: Po vdes Lirak, po vdes vëllai. Ngutu të lutem, me vrap te ajo shtëpi e pambaruar që gjendet në mes të Fushës së Zanave.

LIRAKU: Çka ka atje bos!

XHONI (Duke u dridhur si purtekë e duke i fshirë djersët që i shkojnë curril) Do ta takoshë një mik timin. Do të të jep ca lekë e ti me to do të ma bleshë miellin te Moni. Shpejt Lirako, shpejt se po vdes. Kush do të kujdeset për ty nëse vdes unë, Lirakooo, shpejt pash zotin. Sa më shpejt.

Lëshohem thikë tatëpjetë malit. Te shtëpia e pambaruar, në bodrum, e gjej njeriun që ma ndez një cigare prej atyreve të Xhimit. Është terr, dëgjoj tek flasin edhe dy vetë por nuk ua shoh fytyrën. Duken si hije.

HIJA 1: Tremijë copë nëse do t’shpëtojë nga burgu. I thuaj kështu Tikit. Tremijë copë.

HIJA 2: Nëse nuk kruhen të gjithë një për një - banorët e lagjes së egër, qe besa do t’i lë pa  hartë kadastri. Le të bëhen pastaj copë në mes vete. Si thua shef, ë?

(Vëren Lirakun)

SHEFI: Kush je ti?

LIRAKU: Xhoni më tha që të vij këtu e ta takoj mikun e tij. Kush nga ju është miku i Xhonit?

SHEFI: Unë jam! Kush je ti?

LIRAKU: Edhe unë jam miku i Xhonit.

SHEFI: Po ti qenke shumë i ri mor djalosh. Sa vjet i ke?

LIRAKU: Njëzetedy.

SHEFI: Domethënë “taze”.

(Shefi dhe Hijet qeshen. Liraku qesh me zor)

SHEFI: I kujt je?

LIRAKU: I askujt.

SHEFI: Ashtu ë...  

LIRAKU: Xoni më tha t’ju kërkoj ca para... I duhen urgjentisht...

SHEFI: Do ti jap paratë... Po prit pak, pse ngutesh... Pusho pak, dukesh shumë i lodhur... Eja këtu... A do të luash me ne “çataliku-pataliku”!

LIRAKU: Hëhëhë... “çuliki-piliki” - nuk e di si luhet kjo lojë!

SHEFI: Është shumë e lehtë... Unë ta mësoj... Kthehu mbrapa... Ashtu... Zhvishi pantallonet! Ashtu! Zhvishu, zhvishu! Hë, t’u bëfsha unë ty... Tani përkulë... Ashtu... Hë, ashtu pra...

Shefi m’i ngul thonjtë në lëkurën e shpinës dhe mua më plas gjaku nga bytha.

LIRAKU: Çpo bëni kështu!

SHEFI: Për inat të gruas sime! Mos lëviz, shtrëngohu se po ta thyej kokën për muri.

LIRAKU: Po ç’faj i kam gruas sate!

SHEFI: (Duke i veshur pantallonat) Para një jave gruan e gjeta në shtrat me një burrë dhe më ka mbushur plot inat!

LIRAKU: Po gruaja do burrë në shtrat! (Duke qeshur me të madhe) Pse nuk i shkoni gruas sate por humbi kohën me mua!

SHEFI: Unë nuk humba kohë, ndërsa ti, për kohën e humbur, ja, merri këto para.

Unë rrugës sime, njeriu rrugës së vet. Paratë në xhep. I duhen Xhonit. Do të shpëtojë ai. E do jetën. Sa dola në cep të rrugës, dikush u hodhj mbi mua. Dy vetë, ishin po ata që e shoqëronin Shefin. Më futun në hulli dhe, edhe këta dy, pasi më zhveshën  luajtën “çuliki-piliki”

(Heshtje.)

Rrugës më dolën fëmijët e mëhallës. Ishin të ngjeshur me gurë. Njëri kishte gurë në xhepa, gurë në duar dhe një gurë në gojë. Filluan të më gjuajnë. Më godasin në kokë. Plas gjaku. Unë qesh. Ata gjuaj e unë qesh. Fëmija me gurë në gojë fillon të qajë. Guri i ka mbetur në fyt. Vrapoj dhe e kap për fyti. E shkundulloj mirë. Këmbët m’u ngatërruan nëpër pantallonet e zhveshur. Ndjeva një të goditur të fortë në zverk dhe rashë. Kur erdha në vete pashë që m’i kishin vjedhë pantallonet. Dora më ishte mpirë nga paratë që po i mbaja në grusht të shtrënguar fort. Drejt meje po vinte plaka Mari e cila mbi shpinë po mbante të ngarkuar ca drunj.

PLAKA MARI: Pse ke dal cullak moj loke... Do të sëmuresh...

LIRAKU: Mi vodhën teshat...

PLAKA MARI: Zoti na rujt, jan shtuar shumë hajnat... Hë bëri, mbulohu me këtë mbështjellak dhe ec të shkojmë te unë. Ja, ajo është shtëpia ime. Do të të vesh me pallto e me pantallone të burrit tim

LIRAKU: Jo, nuk kam kohë, Xhoni më pret... Paratë...

PLAKA MARI: Do të sëmuresh kështu... eja... hë, dhe mi mbaj këto dru moj loke se m’u këput shpina... jam plakur e nuk po më mbajnë më as këmbët...

(Liraku ia mrr drutë)

PLAKA MARI: Qenke i fortë more tullac!

LIRAKU: Çtë duhet forca ime?

PLAKA MARI: Vetëm burrat e fortë mund të veshin pallto, të tjerët, ecin në xhaketa. E kanë shpirtin në fyt. Eja! Këndej e kam shtëpinë... Eeeh moj nëno, shyqyr që po e mbaj mend akoma shtëpinë. Po pleqëria qenka e rëndë. Nuk shtyhet vetë, jo...

Për pallton, duhej t’ia paloja të gjitha drunjtë që po rrinin grumbull në oborr. Unë i shtrija duart e ajo më ngarkonte sa mbanë një gomar.

Pastaj, kur i paluam të gjitha drunjtë, më mori e më futi në vaskë.

(Liraku në vaskë. Plaka Mari e zhvesh, e lanë duke e fërkuar në të gjitha pjesët e trupit. Zhvishet edhe vetë. Trupi i saj i rudhur e i vyshkur plandet mbi Lirakun. Fillon ta puthë. Liraku i hidhet sipër. Plaka Mari shkrihet nga kënaqësia. Ofkëllimat përzihen  me një zë që e thërret Plakën Mari. Ajo nuk dëgjon por as nuk e lë të largohet Lirakun i cili, i trembur, mundohet të ngritet nga Plaka Mari, e cila si një ushujzë rri e kapur për trupin e Lirakut. Me këmbë të lidhur mbi shpinën e tij dhe me thonjtë e ngulur në prapanicë, mundohet ta kafshojë qafës me ato dy-tri dhëmbë që i kanë ngelur. Duke u shmangur nga kafshimet e saj, sakaq Liraku vërenë se si në prag të derës, si statujë qëndron një plakë tjetër e cila i shikon me thonjë në faqe.)

KETA: Korba tiiii... phu-phu-phu... hapu tokë të hy brenda...

PLAKA MARI: (Me gjysëm zëri) Ndihmë, ndihmë, a më dëgjon kush. Ju lutem më ndihmoni. Ky i çmendur më përdhunoi. Ju lutem ndihmë. Policia...

10.

Ika! Ika pa u vërejtur nga askush. Vrapova. Vrapova e vrapova pa ditur se çka duhej të bëja. Muzgu po binte. Xhoni! U lëshova në drejtim të Shpellës. Xhoni nuk po lëvizte, nuk më foli, nuk më shikoi. Kishte vdekur. Thashë të blejë diç me ato para që ma kishin mpirë grushtin duke i shtrënguar. Sapo zbrita në katund, më kapën disa, më lidhën dhe më nxorën në gjyq. Ngarkohesha për dy vepra penale të shkaktuara brenda një dite. Për dhunë dhe për vrasjen e Xhonit! Nga vepra e parë shpëtova lehtë, sepse gjykatësi ishte goxha kopil. Tërë kohës derisa zgjaste seanca gjyqësore, unë e mbaja kokën ulur. Më vinte turp. Plaka e pranoi se edhe asaj i kishte ardhur mirë, lezet.

GJYKATËSI: Lirak Rrap Mali, mbi ju peshojunë dy aktpadi: përdhunim dhe vrasje të Xhon Ndue Markajt. Zotëri prokuror. Pala mbrojtëse! (Afrohen te gjykatësi i cili u pëshpërit diç.) Po zotëri Prokuror!

PROKURORI: Ky njeri këtu, ja pra, ky... është shumë i rrezikshëm për shoqërinë tonë. I ati i tij...

AVOKATI: Zoti gjykatës...

PROKURORI: Ju lutem, zoti avokat, më lejoni të shprehem...

GJYKATËSI: Pranohet! Zoti avokat – pa ndërhyrje!  Vazhdoni...

AVOKATI: Ky gjyq nuk është ngritur për ta dënuar familjen e klientit tim, i cili ndonëse tërësisht i pafajshëm, po përballet këtu me një gjykim të turpshëm për tërë sistemin tonë gjyqësor...

PROKURORI: Jeni të ngarkuar për ta mbrojtur klientin tuaj dhe jo sistemin gjyqësor!

AVOKATI: Pikërisht atë po bëj! Po mbroj klientin tim për ta shpëtuar sistemin gjyqësor nga një turp që po i pezullon mbi qafë.

PROKURORI: Po e mbronin amoralitetin shoko! Jeni vënë në anën e një përdhunuesi i cili, për t’i shpëtuar gjykimit aktron këtu të çmendurin. Edhe në varr do ta ndjek gjykimi.

LIRAKU: Hëhëhë... a do të më mbytni, a!

GJYKATËSI: Qetësi... Vazhdoni zoti prokuror!

PROKURORI: Atë ditë, ky kriminel (ngritet në këmbë avokati, gjykatësi  jep shenjë të mos bëzëjë) e zuri në hall zonjën Mari. Mu si një dhelpër i uritur që i lëshohet gjahut të vet të lodhur duke ikur nëpër borë. Po ky u tregua edhe më dinak! E takoi këtë plakë të ngarkuar me drunjë, të lodhur dhe, sakaq e thurri planin ogurzi: ta ndihmojuë plakën deri në shtëpinë e saj duke ia mbajtur drunjtë. Sapo pa se në shtëpinë e kësaj të shkrete nuk kishte asnjë njeri të gjallë, e copëtoi plakën... heheeeej, zotëri gjykatës, e copëtoi mor ky i çmendur! Ju e dini se njerëzit e çmendur kanë dhe një forcë të pashpjegueshme...

AVOKATI: Zotëri gjykatës, nuk duroj dot! Këtu po gjykojmë një kriminel që aktron të çmendurin apo një të çmendur të cilit i mvishen krimet sepse është i fortë për t’i duruar, ë!?

PROKUROI: Kjo nuk ka dhe aq rëndësi. Zotëri avokat – a pajtoheni me mua se këtu ndodhi përdhunimi, ë! Është përdhunuar kjo plakë e shkretë. Zoti avokat, a keni shpirt, ë?

AVOKATI: Zonja Mari, si ndodhi që ju, gjatë atij farë përdhunimi nuk pësuat asnjë grisje të rrobeve, madje, mbathjet nuk ju gjetën askund nëpër dysheme! Si ndodhi që, në vend se ju të përgjakeshit nga “ai përdhunim”, njeriun e keni bërë copë-copë me këta thonjë! Zonja Mari, klienti im, zotëri Liraku më ka pranuar se i ka ardhur shumë lezet! Po ju – ju erdhi pak lezet, ë!

PLAKA MARI: Tani, unë isha me shpirt, nuk isha e vdekur! Edhe unë jam si të gjitha gratë e tjera...

GJYKATËSI: Përgjigjuni në pyetjen e avokatit zonja Mari! A ndjetë kënaqësi ju gjatë atij akti, ë! Keni kujdes, jeni akoma nën betimin se do ta tregoni të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Shtrëmbërimi i të vërtetës llogaritet krim!

PLAKA MARI: Paj, po zotëri gjykatës, edhe unë ndjeva pak lezet! 

GJYKATËSI: Po, a! Lezet ty, lezet atij! Ky nuk është dhunim, është qejf, zonjë Mari. Seanca mori fund. Lirak Rrap Mali shpallet i pafajshëm. Shkojmë më tej...

PLAKA MARI: Turp të keni! Ky i çmendur desh më mbyti. Cfarë lezeti mund të më vie me këtë të çmendur! Nuk keni turp të talleni me një plakë, ë!

GJYKATËSI: Gjyqi mbaroi dhe rasti mori fund. Roja! Ju lutem!

PLAKA MARI: Mos më prekni... turp të keni... ja kështu  si ju më kapi edhe ky i çmendur dhe më përdhunoi... të gjithë ju jeni të çmendur... të gjithë jeni përdhunues... mjer ne që ju kemi... drejtësia e të çmendurve... (Plakën mezi e nxjerrin jasht rojet e gjyqit. Nuk pushon së çjerruri.)

Kur më liroi nga aktpadia e parë ngrita kokën dhe thashë ta shikoj drejt në sy gjykatësin. Deshta ta falënderoj, por, kur e pashë se kush ishte, m’u lidh fjala për gjuhe. I dhash të ngritem rrëmbimthi në këmbë. Nga qafa më vareshin zinxhirët me të cilët i kisha të lidhur duart dhe këmbët. Anash më rrinin dy policë të sertë. Më kapin e më shtrëngojnë fortë.

LIRAKU: Ti këtu!? Ti gjykatës?!

GJYKATËSI: (I habitur e i frikësuar. Shpejton të përfundojë me seancën gjyqësore.) Lirak Rrap Mali, narkodiler i shumëkërkuar! Me këtë agresivitet me të cilin i drejtohesh trupës gjykuese, dëshmon se ende je i rrezikshëm. Sjellja e tij prej psikopati cënon lirinë dhe sigurinë e shoqërisë.

LIRAKU: (Edhe më i tërbuar) Ti, ti gjykatës...

GJYKATËSI: Lirak Rrap Mali, për padinë e ngritur ndaj teje: pjesmarrës indirekt në vdekjen e Xhon Voglit, shpallesh fajtor. Në bazë të nenit... alineja... e ligjit për krime, dënohesh me burgim...

LIRAKU: Ti më dënon! Ti që për një grusht parashë ma plase bythën! Po si e ke gruan, zotëri gjykatës!

GJYKATËSI: Mbylle... Seanca mori fund!

11.

Pas shumë shëtitjesh nëpër botë, djali u kthye në shtëpi. Nëna i kishte vdekur e ai nuk kishte arritur që t’ia hudhë një grusht dhe mbi varr! Kishte ardhur një ditë me vonesë... Duhej të martohej me vajzën më të bukur të rrethit! Vetëm edhe gjashtë muaj e do të martoheshin. Nëna, për martesën e tyre kishte vendosur që të lajë e shpëlajë, ta bënte shtëpinë kukull. Duke nxjerrë ujë me govatë, kishte ra në pus. Disa nga fqinjët pëshpërisnin se atë ditë kishin dëgjuar një potere të madhe dhe se, duke e njohur egërsinë e burrit të saj, nuk ishte çudi që ai vetë ta kishte hedhur në pus!

PLAKA 1: E mbyti moj, e mbyti!

PLAKA 2: Jo besa, e shpëtoi! Hedhja e saj në pus ishte shpëtim, mi korbë!

PLAKA 1: Thonë se vetë u hodh në pus ngase nuk mund të duronte më atë torturë që nuk iu nda tërë jetës!

PLAKA 2: Po a! Pse nuk hedhesh ti në pus, ë. Po çfarë hedhje vetë mi. E Hodhi ai hamshor. Hihihi, që kur nisi t’i sillet nëpër shtëpi Zoga e shkretë, atij iu bë gjak në sy Zana!

PLAKA 3: O për Zotin me këto dy veshë e kam dëgjuar duke i thënë të shkretës “do të të vraaas”!

PLAKA 4: I poshtri, të gjitha gratë e mëhallës i shikonte me një buzëqeshje të ndyrë nën ato mustaqe si të bishtit të pelsë së tij.

PLAKA 3: Mirë, mirë. Ju si jeni, si i ke djemtë!

PLAKA 4: E shkreta ti, ke lajthitur fare!

PLAKA 3: Bërtit, bërtit më fortë, më kanë lënë veshët e nuk po dëgjoj asgjë!

XHA KOLA: E mbyti! E zuri e shkreta me pelë për dore!

RREMI: Qe besa mua po më duket se e zuri mbi pelë!

LIMI: Hej, more po flitet diç e tmerrshme! A keni dëgju se çka i paska bërë Zogës, a!

PLAKA 1: Mirë ia ka bërë! Nuk i zinte vend bytha në shtëpinë e vet. Ku është Zoga – te Rrapi!

LIMI: Po ajo shkonte te Liraku moj loke!

PLAKA 3: E zezoi një familje të tërë. Dhe iku! A morët vesh gjë se nga ka ikur, ë! Pash Zotin më tregoni dhe mua!

LIMI: (Në rrënjë të veshit, me ze cinik) Paska shku në P-e-r-z-e-r-e-n!

PLAKA 3: Jo po, kurrë nuk e zuri vendi vend...

RREMI: Ik moj, shtrigë... pirdhu!

PLAKA 3: A? Ikni se erdhi. Ja, dëgjone trokun e pelës... ikni! (Ikin të gjithë duke bërtitur: “amshori... po vjen amshori... ikni se erdhi amshori...)

LIRAKU: Gojëkëqinj. Nuk është e vërtetë! Nuk është e vërtetë! Babai im e donte nënën time! Më donte edhe mua! E donte po aq shumë edhe pelën! Ndaj e donin të gjithë! E respektonin pamasë! Nuk është e vërtetë.

Në mbrëmje, kur u kthye babai në kasollë, erdhi vetë. Pela i kishte ngordhur. Në oborr gjeti djalin duke qarë. Nëna kishte vdekur. Kur e pa djali babain, i shkrepi një xixë shprese. Pëshpëriti: “O Zot, të falem që ma ktheve babain, të vetmin që më mbeti, pa të cilin nuk kam jetë!”

LIRAKU: Ku ishe babush!?

BABAI: Atje ku miza brenë hekur!

LIRAKU: Ku është nëna, babush?

BABAI: Ma liro rrugën.

LIRAKU: Flitet se ti e ke vrarë... Çfar na bëre kështu, babush...

BABAI: Asgjë nuk arrita t’ju bëj. Madje as njerëz.

LIRAKU: Ku është nëna, ë? Përgjigju! Ku është nëna?

BABAI: Në varr. Aty ku është dashur të jet para shumë vitesh.  

LIRAKU: (E kap për qafe, duke e shkundëlluar) Tërhiqe këtë që e the babush. Gëlltite! Hë, a të mbeti në fyt, ë. Të ndihmoj unë babush, të ndihmoj unë të përcjellish tatëpjetë grykës. Të kam baba e të dua shumë, shumë, shumë...

Atëherë, erdhi zogu dhe i tha: “As ky nuk të duhet. Fjala ishte që të ta marr atë që, në një çast, do ta duash më së shumti, me shpirt! Lamtumir!” Dhe, djali mbeti vetë!

12.

(Sillet nëpër figurat e shahut. Bërtete.)

Nuk di! Jo! Nuk di. Nuk më kujtohet asgjë! Asgjë nuk dua të kujtoj!

(Ndalet. Ulë kokën. Supet i dridhen nga dënesja. Ngrit kokën. Nj buzëqeshje, si ajo që del pas vajit. Hshtje! Ec me kokë të lëvarur. Ndalet para mbretëreshës së bardhë. Ulet në gjunjë. I flet figurës.)

Atë ditë, kur më iku Zoga, m’u bë se më zbriti dielli mbi kokë!

ZOGA: Kurrë më nuk do të më shohish, se edhe ti je pjellë e kësaj qelbësire.

“Qelbësirë” i tha babait tim!

(Heshtje.)

Ne po duheshim Zogë. Gjithnjë e më shumë po duheshim! Na ndante vetëm mesi i natës! Pas çdo ndarje pasonte grushtimi im! S’ka gjë! Nuk i ndjeja më grushtat e shqelmat. Më ndezi dashuria jote e më bëri flakë. Unë të dua dhe ti më do! Gënjeshtër! Ata që duhen nuk humbin. Të paktën, caktojnë kohën dhe vendin e ritakimit. Unë të takoja shpesh! Sa bëhesha gati të të përshëndes, ti më pështyje “phu... phu... phu...

(Ngritet. Dënes. Bëhet sikurpo ia fshinë lotët mbretëreshës figurë. Heq kurorën dhe e vë mbi mbretin, figurën e zezë. Pastaj, sërish ulet para mbretëreshës figurë)

Lotët e tu, Zogë, më plagosin shumë. Çdo pikë e lotit tënd është gurë. Aq shumë qave sa mes nesh u ngrit një murë me gurë prej lotësh. Tani ai mur prek edhe qiellin. Nuk është si muri i kopshtit tënd që atë natë na fshihte nga sytë e botës.

Ishe vetëm në shtëpi. Edhe një javë do të dilnim maturantë. Pastaj, unë në Paris e ti në Shkup! Më ftove mysafir. Kurrë nuk ta thashë arsyen se pse atë natë erdha te ti. Kisha nevojë që, një herë në jetën time ta kaloj një natë pa potere, kërcënime, goditje e vaj. Para se të vij te ti, shkova në një lokal dhe piva rresht tri gota raki. Për herë të parë në jetën time! Jo se po ndjehesha burrë, por, i zbraza gotat sa për ta shuar frikën dhe turpin. E dija që natën do ta kalonim të zhveshur lakuriq. Nuk kishte ku të shkonte më. Kur m’i pe vrragët dhe shenjat verenik nëpër trup nise të qashë. Kësaj radhe nuk deshta të më mëshiroshë. Dashuria jote ngushëlluese po më lodhte shumë... Po ndjehesha si budalla para të cilit shpërthejnë dhembjet e shpirtit... U plandëm në dysheme dhe, pas pak, ti lëshove një ofkellimë duke i kafshuar buzët. U tremba. Ti kishe gjak mes këmbëve! Zura kokën me duar, e ti më the se nuk ishte gjë, se kështu duhej të ndodhte. Pastaj sërish vazhduam. Thamë që nuk do të bëjmë gjumë. Në mesnatë, shi i madh. Vendosëm të dalim lakuriq në oborr. Kërcenim përpjetë. Jo nga i ftohti por, na pëlqente që të lazdroheshim tamam si fëmijët nëpër shi. Kërcenim, përqafoheshim, putheshim. Pastaj, ramë mbi bar, me trup të puthitur. Seç mu bë se të kapa për beli dhe të hudha përpjetë. Të hudha një herë, dy herë, ndërsa kur të hudha herën e tretë, ti mbete pezull në ajër. Në dy gjunjë t’u luta që të zbresish. E ti më the: “Mos më prit! Nuk vij! Qenka kënaqësi e posaçme ndjenja e të qenurit engjëll.” Një murmurimë e fuqishme na trembi të dyve. Në banjo, vaska na priste plot me ujë të ngrohtë. Pak para agimit e shprehëm frikën e kësaj nate! Çka nëse pas nëntë muajsh do të ishim tre vetë! “Do të jemi njëmbëdhjetë vetë Zogë! Unë ti dhe nëntë fëmijë”, të thashë si në shaka, ndërsa ti më godite me gisht në tëmth: “Hej, mos të kanë lëntë mendtë ty, a! Nëntë! Vetëm dy fëmijë!” Megjithatë, u pajtuam të jenë nëntë! Shaka. Erdhi më e bukura! Filluam t’i shprehim dëshirat për fëmijët tanë! Njërin do ta bënim astronom, tjetrin zhytës, njërin piktor, vajzën opersite, njërën juriste e tjetrin ekonomist! Edhe më e bukura ishte kur u pajtuam që njërin ta bënim kryetar shteti, tjetrin kryetar qeverie e tjetrin kryetar kuvendi. Por të cilit shtet! Kërkuam një shtet pa popull, sepse, unë nuk deshta që fëmijët tanë të kenë punë me popullin! Nuk bën! Më mirë të kenë punë me bagëti se me popull. Është njësoj – si në krye të popullit si në krye të kopesë! “Kush, fëmijët e mi barinjë! Kurrë”, fillove të më godasish e unë qeshesha si i marrë. Pastaj kot të bëra të qashë. Të thashë që, sapo të na lind fëmija i parë, unë do të vdes. Është mirë fëmija të rritet pa baba! Ti nuk më fole më. Ktheve kokën mënjanë. Në mëngjes, të dehur nga pagjumësia u nisëm për në shkollë! Pastaj nuk u pamë një javë. Ditën e fundit të shkollës, sapo të pashë nga larg, të përshëndeta duke ta ngritur dorën. Ti më shikovë urrejshëm dhe ma ktheve shpinën! Pse Zogë? Pse?

(Heshtje).

Më vjen keq për letrat e tua Zogë! Nuk di se ku janë! Këtu më thanë se do t’m’i gjejnë. Vetëm të kujtohem se çfarë ngjau atë ditë, në fund të lojës së shahut. (Ngritet. Ec i frikësuar!) Nuk di! Nuk di të luaj shah! Frikohem nga fitoret! Fitoret ndjellin humbje të mëdha, të tmerrshme.

Të gjithë humbin nga diçka! Mbetet pikëllimi! Pikëllimi është për ata që mbesin pa dashuri, që ju vdes dashuria, që si gjethet e verdha ju bijnë kujtimet nga koka. Ata humbin! Humbja është plagë e gjallë, që kullon e kurrë nuk mbyllet. Vdekja e gjenë trupin dhe e mbulon. Vetëm plagët nuk mund t’i gjejë, ndaj, ato gjithnjë mbesin të hapura.

P   e   r   d   e  t

На Растку објављено: 2008-08-13
Датум последње измене: 2008-08-13 17:42:15
 

Пројекат Растко / Проект Растко Македонија